Krijimi i VET Portalit, kërkesë imediate e kohës

Shtator '2012

Agron PULLUMBI*

 

Në vend të hyrjes ...

Idetë novatore në informatikë, sado të përparuara të jenë “plaken” shpejt dhe nëse ato nuk implementohen në kohën e duhur, me shpejtësi e vendosmëri e humbasin vlerën dhe pengojnë progresin.

Potenciali që përftohet nga përdorimi i rrjeteve të informacionit është i jashtëzakonshëm dhe sugjestionues, sidomos, po të kemi parasysh se grupi përdorues i këtij Portali është brezi i ri, nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe atyre të mesme. Prandaj përdorimi i tij për promovimin, publikimin dhe menaxhimin e shkollave profesionale, padyshim i jep një impuls të ri dhe energjik përmirësimit të cilësisë së Arsimit Profesional (AP) në vendin tonë.

Sigurimi i një informacioni të besueshëm dhe adekuat me të dhëna të hollësishme nga të gjitha shkollat e sistemit të AP në vend, ishte një nga sfidat e para të punës në Sektorin e Zhvillimit të Arsimit Profesional, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kjo sfidë u ndërthur gjithashtu edhe me përpjekjen per të kapercyer skepticizmim dhe ngurrimin fillestar ndaj adoptimit të teknikave bashkëkohore, ndarjes së informacionit në një rreth të gjerë, etj.

Si paraqitej situata para '2010?

Përpara '2010, të dhënat statistikore për shkollat profesionale janë siguruar në mënyrë manuale nëpërmjet komunikimeve të thjeshta e shkresore dhe në periudha kohore jo sistematike, prandaj për të përmirësuar gjendjen, u mendua dhe u hodh një hap i parë duke krijuar struktura të dhënash statistikore me Template në Excel, për tematika të ndryshme për secilën nga shkollat.

Këto struktura u programuan në mënyrë të tillë që:

  • Nëpërmjet tyre krijohet njohje e plotë dhe e detajuar e gjendjes në shkolla;
  • Të dhënat ishin gjithëpërfshirëse për specifikat e shkollave profesionale;
  • Të unifikoheshin të gjitha emërtesat e Drejtimeve dhe Profileve.

Përse një sistem i veçantë të dhënash për Arsimin Profesional?

Të dhënat e shkollave profesionale janë specifike krahasuar me ato të arsimin parauniversitar. Shtrirja gjeografike, numri dhe larmia e shkollave profesionale, fleksibiliteti i struktrurave që duhet të përshtaten me kërkesat e tregut të punës, etj., kërkojnë që seti i të dhënave përfaqësuese i këtij sistemi të jetë shumë i madh. Ky numër rritet po të përfshihen në to edhe të dhëna të tjera për stafet mësimore, infrastrukturën mësimore, bazat prodhuese dhe kabinetet e lëndëve profesionale, si pjesë e rëndësishme e procesit mësimor dhe praktikave profesionale.

Nga ana tjetër, nisur nga veçoritë didaktike të zhvillimit të orëve të mësimit, nuk mund të pretendohet krahasimi i të dhënave të gjimnazit me ato të shkollave profesionale, të muzikës apo sportive dhe të baletit etj., pasi kjo do të ishte pothuajse e pamundur.

Kësisoj, nevoja për krijimin e nje sistemi të veçantë të dhënash, që do ti shërbejë menaxhimit më të mirë të sistemit të arsimit profesional bëhet mëse evidente.

Përse Portal?

Pavarësisht punës me përkushtim të stafeve e strukturave drejtuese e mësimdhënëse, rezultateve dobiprurëse të Projekteve të ndryshme (që implementohen në shkollat tona), sistemi i AP, në Shqipëri, paraqet ende probleme:

  • Nga të gjithë ne, konstatohet se sistemi i AP vuan nga problemi i imazhit dhe i reputacionit të krijuar. Shumë herë në mjediset shoqërore, por edhe në mendësinë e shoqërisë shqiptare, shkollat e AP konsiderohen si shkolla të dorës së dytë dhe jo si Institucione arsimore me peshë në zhvillimin ekonomik te vendit.

Përpara kësaj situate, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron Interneti, u pa e domosdoshme që të intensifikohen format e promovimit të sistemit të AP për ta bërë atë sa më të njohur dhe tërheqës për gjithë shoqërinë shqiptare, veçanërisht për nxënësit. Prandaj krahas përdorimit të formave tradicionale, u mendua që efikasitet të lartë do të japë edhe krijimi i Website (me struktura të njëjta e të mirëmenduara) për çdo shkollë. Në këto Website çdo shkollë profesionale do të promovojë qartë ofertën e shërbimit arsimor që ofron dhe me të dhëna specifike do të argumentojë avantazhet dhe resurset që ka në përgatitjen e specialistëve të rinj.

  • Diversiteti i të dhënave dhe veçoritë e shkollave profesionale kërkojnë një nivel të lartë menaxhimi e që padyshim që duhet të jetë fleksibël për të reflektuar në kohë kërkesat dinamike të tregut të punës.

Kjo mund të arrihet vetëm nëse strukturat drejtuese e menaxhuese në MASh do të kenë në përdorim instrumente që garantojnë në çdo kohë të dhëna e indikatorë realë. Këtij qëllimi i shërben moduli i Sistemit të Menaxhimit të Informacionit, (SMI) i cili do të realizojë jo vetëm regjistrimin dhe ruajtjen e të dhënave në kohë reale por edhe përpunimin statistikor dhe gjenerimin e indikatorëve për çdo shkollë profesionale. Detyra e parë që u zgjidh ishte unifikimi i të gjitha strukturave dhe emërtimeve të Drejtimeve dhe Profileve, që përdorin shkollat profesionale, bazuar në Listën kombëtare të Kualifikimeve Profesionale.

  • Prej shumë vitesh, nxënësit dhe mësuesit e shkollave profesionale, hasin në vështirësi edhe për shkak të mungesës së aksesit për skelet kurrikulat ose plan programe, tekste dhe materiale mësimore, sidomos atyre të lëndëve profesionale. Në këtë këndvështrim, krijimi i një Menyje të veçantë përmbledhëse të Dokumentacionit shkollor është mëse e domosdoshme. Aty do të përgatiten e publikohen shumë materiale të dobishme në ndihmë të mësuesve e nxënësve, e pse jo, duke synuar edhe krijuar bibliotekën me tekste digjitalë materiale mësimore multimedialë etj.
  • Por, mësuesit e shkollave profesionale kanë gjithashtu shumë të nevojshme të shkëmbejnë eksperienca, mendime dhe përvoja ashtu si edhe instruktorët dhe drejtuesit e shkollave ndërmjet tyre.
  • Bizneset e interesuara për specialistë të rinj dhe të përgatitur me metoda të reja e bashkëkohore pune, kanë nevojë të gjejnë informacione të detajuara për Kompetencat e përgjithshme dhe ato profesionale të nxënësit në përfundim të arsimimit etj., dhe cilat nga Drejtimet dhe Profilet profesionale plotësojnë më mirë kërkesat e tyre.
  • Sistemi i AP duhet të reagojë shpejt edhe ndaj zhvillimeve dhe nevojave, jo vetëm të tregut të punës në nivel lokal e kombëtar por edhe më gjerë, atë evropian. Ai duhet të jetë tëheqës në përputhje me kërkesat e tregut të punës, me zhvillimet ekonomike duke u përshtatur sa më shpejt me ndryshimet e reja që ndodhin në ekonominë e vendit. Në këtë këndvështrim, nëpërmjet rubrikës së Ofertës mësimore dhe të Këshillimit në karrierë duhet të përçohet edhe koncepti i të nxënit gjatë gjithë jetës, pra të krijojë mundësinë e trajnimit, ose ritrajnimit, etj., e që individët të fitojnë njohuri të reja në përputhje edhe me kërkesat e nivelet e kualifikimit të pranuara nga BE. Përdorimi i portalit si mjet komod komunikimi, krijon edhe potenciale pozitive orientimit dhe këshillimi në karrierë, të nxënësve që përfundojnë arsimin 9-vjeçar.
  • Sinkronizimi e njohja e njëkohshme edhe me ofertën që ofrojnë strukturat e tjera të arsimit dhe formimit profesionalë do të shmangë mbivendosjen e këtij shërbimi duke i fokusuar drejt burimet intelektuale, duke kursyer kohë, energji dhe mjete financiare. Kështu ofruesit e AFP, bizneset, shoqëritë dhe kompanitë mund të bashkëpunojnë e të bashkëveprojnë në mënyrë efektive me njëri-tjetrin në drejtim të përgatitjes së specialistëve të rinj.
  • Promovimi i projekteve të huaja (që ndihmojnë sistemin e AFP në vendin tonë), i materialeve, dhe aktiviteteve për të rinjtë, krahas mundësisë për zhvillim të mëtejshëm profesional të tyre, krijon mundësi edhe për përfshirjen e partnerëve socialë, punëdhënësve në proceset e AP.
  • Tendencat e fundit të zhvillimit janë të orientuara drejt krijimit të një sistemi të hapur informacioni me disa “rrjete” të komplekse të komunikimit me përdorues që kanë interesa të përbashkëta. Kështu nxënësit e një shkolle do të mund të “bashkëbisedojnë” jo vetëm me bashkëmoshatarët e tyre dhe me mësues brenda vendit, por përse jo edhe jashtë tij etj.

Me shqetësimin për tu dhënë zgjidhje të gjitha problemeve të sipërpërmendura, shtruan nevojën dhe i dhanë një shtysë të mëtejshme perceptimit të një platforme gjithëpërfshirëse në shërbim të sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional në Shqipëri.

Çfarë përfaqëson VET Portali?

VET Portali përfaqëson një platformë të zgjeruar informatike, që krahas Menyve e Rubrikave të veçanta ku publikohen materiale e të dhëna të shumta informuese, integrohen Module, ai i të dhënave statistikore ku në mënyrë interaktive regjistrohen, ruhen e përpunohen automatikisht të dhëna, Moduli i Website ku institucionet që ofrojnë Arsimin dhe Formim Profesional në Shqipëri publikojnë dhe promovojnë ofertën arsimore etj.

I strukturuar mbi një platformë Web-i, në trajtë Multi Layers, informacioni i VET portalit jepet i larmishëm dhe në forma dhe struktura të ndryshme, për t’u përgjigjur një numri përdoruesish me interesa të ndryshme.

Portali është i thjeshtë në përdorim e përditësim dhe siguron në kohë reale e për të gjitha strukturat menaxhuese të sistemit të AFP, të dhëna dhe indikatorë të strukturuar e të mirëpërcaktuar.

  • Sistemi i menaxhimit të Informacionit (SMI) të AP është një sistem i integruar informatikë, që shfaq në kohë reale informacione të hollësishme si për nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe të DAR/ZA-ve, strukturave menaxhuese dhe vendimmarrëse në MASH, apo për institucione të tjera të sistemit arsimor, ashtu edhe për bizneset private etj.

Për një nivel të caktuar të përdoruesve të tij, sistemi do të gjenerojë Raporte me të dhëna statistikore të larmishme, të krijuara nga Tables, Queries e Forms të parapërgatitura ose të përgatitura në vijim sipas kërkesave të përdoruesve etj.

Nga pikëpamja fizike, SMI përfaqëson një rrjet kompjuterësh të instaluar në institucionet e AFP, që nëpërmjet Internetit komunikojnë On-line duke përdorur një aplikacion Web basen të programuar për këtë qëllim.

Praktikisht në çdo shkollë të AP, janë krijuar poste pune të pajisura me User name dhe Password, ku drejtuesit e tyre (ose personat e autorizuar) logojnë dhe nëpërmjet një ndërfaqësi të krijuar posaçërisht për këtë qëllim, realizojnë hedhjen (Data Entry) ose përditësimin e të dhënave.

Në kohë reale sistemi automatikisht i “sistemon” në server të dhënat e mara duke i identifikuar, unifikuar dhe vendosur sipas strukturave të mirëpërcaktuara në formë skedarësh. Të dhënat menaxhohen e transformohen nga sistemi i cili llogarit indikatorët duke i klasifikuar sipas niveleve dhe duke qenë i gatshëm për të gjeneruar e printuar raporte, në nivel Drejtimi, Profili, Viti shkollor, Shkolle, DAR/ZA-ve, në nivel kombëtar, etj.

Fillimisht, drejtuesit e shkollave nëpërmjet Data Entry realizojnë hedhjen e plotë e të dhënave për shkollën etj., dhe pastaj vetëm gjatë “rutinës së përvitshme”, (një ose dy herë në vit) përditësojnë ndryshimet e mundshme si dhe të dhënat që lidhen vetëm me performancën e nxënësit, etj.

SMI përmban edhe të dhëna kofidenciale që u përkasin sektorëve të trajnimeve, menaxhimit të burimeve njerëzore, financave etj., prandaj përdoruesit e tyre klasifikohen në disa nivele me atribute të veçanta.

  • Duket kombinuar me të dhëna demografike dhe gjeografike (GIS), do të gjenerohen edhe indikatorë për shpërndarjen territoriale të shkollave profesionale për të optimizuar shtrirjen për të zbatuar politika efikase mbi perspektivën e shkollave në zona të ndryshme të vendit etj.
  • Të dhënat e përftuara nga VET Portali, mund të monitorohen në kohë reale e shfrytëzohen nga instancat politikëbërëse, për të përftuar konkluzione të dobishme e perspektive lidhur me shfrytëzimin e burimeve njerëzore, dinamikën e zhvendosjes, shkallën e kualifikimit të mësuesve sipas zonave, DAR/ZA, shpërndarjen e tyre sipas profileve, shkollave etj.
  • Nëpërmjet rubrikës ‘Legjislacioni’, përdoruesve do t’u ofrohen njohje të detajuara me ligjet, urdhrat dhe urdhëresat.
  • Në ndihmë të mësuesve, nxënësve dhe prindërve është parashikuar edhe një Modul (në trajtën e Moodle) me kombinacione të integruara e të zgjeruara në nivel “kapilar” me Skelet kurrikula, Plan programet e Lëndëve, Tema mësimore etj.
  • Me Modulin e video konferencave parashikohen të realizohen jo vetëm takime pune virtuale me mësuesit, instruktorët dhe drejtuesit e shkollave profesionale por edhe trajnime të specializuara me to, etj.

Përdoruesve të VET Portalit u vjen në ndihmë Udhëzuesi i përdorimit, ku jepen njohuri për përdorimin e tij dhe saktësohen procedurat që do të ndiqen për Data entry, duke garantuar efikasitetin e mirëfunksionimin e SMI.

Në vend të konkluzioneve ...

Ndihem i privilegjuar që së bashku me kolegët e mi, në vitin jubilar të 100 vjetorit të formimit të shtetit shqiptar, u arrit të realizohej Portali i Arsimit dhe Formimit Shqiptar, një risi që fillimisht mund të konsiderohej utopik, por që hap pas hapi, me punë, përkushtim e këmbëngulje u arrit të realizohej me sukses.

Me këtë projekt, për herë të parë në institucionet e arsimit parauniversitar shqiptar, regjistrohen, grumbullohen dhe përpunohen në kohë reale të dhëna statistikore nga të gjitha shkollat profesionale. Krahas saj, çdo shkollë profesionale do të ketë dhe vetë administrojë Website-n e saj promovues e informues.

Rezultatet e pritshme dhe impakti i VET Portalit shqiptar pritet të kontribuojë në rritjen e performacës së strukturave të AFP, përmirësimin e cilësisë së shkollave profesionale duke rritur reputacionin e duke shtuar interesin e nxënësve dhe të gjithë aktorëve ndaj AFP.

Implementimi i këtij projekti kërkon profesionistë aktivë me vizion për të ardhmen, të angazhuar, të trajnuar e të gatshëm për të përballuar këtë sfidë që koha ka vënë përpara zhvillimit të AP në Shqipëri.

Prandaj le të jemi jo vetëm vizionarë, por edhe njerëz të vendosur e të veprimit energjik!

Falenderime ...

Përzemërsisht, falënderoj të gjithë ata kolegë, bashkëpunëtorë, vendas e të huaj, që besuan dhe ndihmuan në idenë e realizuar me aq këmbëngulje e pasion.

Mirënjohje dhe falënderime të veçanta shkojnë për eksperten ndërkombëtare Zj. Agnes WOLLSCHLAEGER, Drejtuese e Projektit, Europe Aid/128450/C/SER/AL, Mbështetje për implementimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar në Shqipëri me fokus të veçantë AFP.

Vet Portali u mundësua edhe falë bashkëpunimit të suksesshëm dhe profesionalizmit të specialistëve të apasionuar të kompanisë IDRA DiGIS.


* Ideator dhe bashkëautor i realizimit të VET Portalit. Ka përgatitur përmbajtjen e teksteve dhe ka përpunuar të gjitha materialet ilustruese.
Kontakt: apullumbi@hotmail.com, Cel: + 692130794